Thursday, August 29, 2013

VEPRA POETIKE-VALDETE ANTONI





VOLUMET POETIKE
&
 VLERSIME NGA PERSONALITETE
TE LETRAVE
SHQIPE:






1.




“ËNDËRR NË MUR” 

PRISHTINË, Ylberi", 1994



Ali Aliu:

… Një zë poetik i mekur që nuk n
ëm nuk akuzon kënd ,
një zë moralisht stoik, që shqetësimin e vet poetik e derdh përmes një strukture poetike të vetën
jo medoemos të mësuar, por të sigurt , të zotëruar …




                         




2.



"Muri im ka veshur këmishë"





 My wall has got a shirt" , Tirana, "Toena":1997





Iliriana Stringa:

"…Rrallë ndodh që mosha të mos krijojë maniera mbi poezinë e megjithatë poezia e saj është gjithnjë e njëjta : e pasigurtë për vlerën e vetes , e druajtur në përjetime dhe përfundime , e tejdukshme në metafora …."





3.


 "E pashë fluturimin tim"

"I saw my flight" , Tirana, "Toena": 1999




Shpëtim Kelmendi:

"Ashtu si f
ëmija që me pafajsinë e tij arrin ta shndërroj në lodër gjithe ç'prek me dorë, ashtu edhe V. Antoni arrin të shndërroj në tinguj 

edhe fjalët më të zakonshme. 

E shpenguar dhe e pacënuar nga logjika e ftohtë teknike, 
poezia e saj buron prej një harmonie të thellë shpirtrore 
që s'e ka fare të vështirë të realizohet 
në një harmoni shenjash grafike."










4.


 "Hyj në kraharor zoti"



 Autore: Valdete Antoni.
"Enter in God’s chest" , Tirana, "Toena": 2001




 Ramiz Gjini:

"Në dashuri ajo është më tepër se grua , madje përmasat e saj i kapërcejnë të gjitha kufijtë ato kufij 
që mund të arrihen vetëm përmes rrugës që të shpie vetëm tek krijuesi i gjithësisë , te Zoti."






5.

                   "Tretur në polen drite "

"Wasted in Light Pole", Tirana, "Toena": 2005





   Behar Gjoka:
"Kjo përvojë shkrimi vjen e plotë si vokacion shprehës, si gjurmë e dëshmive të sendërtimit të poezisë, 
që ruan ekuilibrin ndërmjet thënies dhe domethënies, 
formës dhe mesazhit. 

Finesa dhe feminiteti zbulohet me përkujdesje ndaj fjalës dhe vargut, ndaj tingujve që rimojnë së jashtmi, 
 kanë një temporitmikë të brendshme. 

Gjetjet poetike të formuluara në materien tekstore, në vargëzimin modern dhe klasik, në ritmikën brenda vargjeve, lidhen sidomos me lëvrimin e poezisë 
pa titull 
dhe 
pa shenja pikësimi."








6.

  
                                      Vesë tingulli poezi,


                                   Autore: Valdete Antoni. 

                            Botuesi: Toena. Faqet e librit 200.
 "Dew Sound" - Selected poetry, Tirana, 2011




 Kolec Traboini: 

"Janë si perla të vogla e të shndritshme , 
që kur kërkon ti prekësh e ndjen si treten si pika vese …"
                                               


Pirro Loli:

"Kur lexon poezitë e Valdetes lexuesi provon emocione për ato gjetje, shprehur me aq finesë befasuese; njoha sinqeritetin e gruas nën një vello të hollë, lehtas mbuluar, gati-gati me petale lulesh ku frymon fati i gruas me të gjithë abc-në e femrës. 


Ka në këtë poezi, psherëtima të lehta që s’duan ta nxjerrin dhimbjen nga buzët; ka këngë, ngjarje e elegji të shpirtit njerëzor, shprehur me një lirizëm të hollë artisteje; ka vargje, ritme e melodi të brendshme, ku fryn një fllad i lehtë që ngjall sythe të tharë e të fjetur. 

Çdo qenie femërore, "gjen veten në harkun burrëror... si një vesë tingulli dhe... nga habia le të ngrijë dhe le të bëhet femër...".


Lexuesi e përjeton poezinë e Valdete Antonit me emocion gjallërues, me një dridhmë të lehtë si frymë, ku vibron tej e tej një ajër i kulluar, e duket se një dorë e bardhë fshin të keqen rënë si pluhur mbi sendet e ngrira e të ndjek pas një buzëqeshje e çiltër e bota të bëhet më e bukur, më harmonike. 


Poetja komunikon thjesht, por figurshëm, e poezia e saj na vjen si zbulim paqeje e mirëkuptimi. Ajo është e dashuruar me të gjitha sendet, objektet, ngjarjet, njerëzit e kësaj bote. Të gjithë mbushin jetën e saj të përditshme dhe poetja si nga një frymë e sipërme, i mbush ata me dritë. E, nëse ata janë tingujt e jetës, ajo është vesa përmbi ta. 

 Në këto poezi vezullon fisnikërisht një diell i brendshëm e unë do dëshiroja, që lexuesi ta përjetonte si akt dashurie. "


 






  Faruk Myrtaj:


"Valdeti gjëmon së brendshmi, së thelli. 
Ajo që shihet në breg-det, 
dhe bën sikur përplaset me brigjet,  
është vetëm dukja. 

Kaltërsia vjen prej thellësisë
                   mosha vjen prej lojës me jetën, 
                             në fund vjen vetëm filli i fillit. 

Edhe po s'deshe ti,  
çdo gjë nis nga e para. 
Poezia të ka ikur duarsh 
                                dhe lexuesi të mban mendsh 
                                   e ndjenjash si të tillë..."








Saturday, August 24, 2013

INTERVISTA/ Flet shkrimtarja dhe gazetarja e parë femër që krijuan RD-në Vera Isaku






Intervistë me znj.Vera ISAKU në  Radio Tirana nga  Valdete ANTONI









Redaktoi për gazetën Telegraf:  Albert ZHOLI







Vera&Agim Isaku


Është një ndjesi e veçantë kur fërkimet kohore puqen me dëshirat dhe kënaqësitë vetjake. Fillimet e gazetarisë së lirë të shqiptarëve që përkuan këtë vit me 20 vjetorin e gazetës Rilindja Demokratike, nuk mund të kalojë në heshtje pa përmendur gazetaren e parë znj Vera Isaku në ekipin e fillimtarëve të RD, gazetë drejtuar nga Frrok Çupi.

Ajo është një nga gratë intelektuale që krijoi personalitetin e saj si gazetare, krijuese në periudhën më të vështirë të historisë shqiptare. 
Zonja Vera ishte femra e parë shqiptarë që mori pjesë në një gazetë të tillë opozitare , në një gazetë të parë të fjalës së lirë shqiptare mbas përmbysjes së komunizmit. Kjo ishte një ndërmarrje tepër e vështirë që mund ta bëjnë intelektuale të tilla si Vera Isaku që dalin mbi vetveten dhe që me plot gojën mund të emërtohen intelektuale të formuara. 
Nuk e mori rrëmuja për tu fshehur por e përgjegjshme për atë që po ndodhte hyri duke rrezikuar. Një grua që nuk hyri spontanisht në këtë ngjarje, por e përgjegjshme duke qenë edhe nënë, duke rrezikuar shumë të tjera. Hyri në këtë rrezik, gdhiu ditët dhe i ndryshoi ngjyrën ditëve dhe të netëve të saj me një ritëm krejt tjetër me krijimin e një gazette që u prit aq rrjedhshëm nga shqiptarët.

Në fillimet e janarit të vitit 1991 ju ishit në ato fillimtarë që realizuat atë ngjarje shumnë të rëndësishme siç ishte çelja e gazetës Rilindja Demokratike në ekip me Frrok Çupin.
Diçka për ato ditë të vështira për shtypin e lirë shqiptar?

Kam kaluar 20 vjet që atëherë dhe falënderoj Radio Tiranën që u kujtua për këtë ditë. Dhe sot kur e mendoj them se kam pasur shumë guxim dhe kam dalë edhe me emër të përveçëm në gazetë. Mendoj se kanë qenë dhe rrethanat e atilla.E kujtoj so një kohë shumë impernjative, me shumë punë, me shumë frikë, ku punonim 14 orë në ditë. E kujtoj si një nga gjërat më të mira që kam bërë në jetë.Që kam guxuar për të folur, sepse ishte e vështirë. Unë mendoj se kishin sadisfaksione të mëdha kur ktheheshim nga shtypshkronja nga ora 2 e natës ku kushtet ishin të vështira.Ishte edhe dimër. Tirana në dimrin e 90 ka qenë një tmerr. Sadisfaksioni ishte se njerëzit edhe pse nuk mund ti afroheshin RD-së, kur ne ktheheshim nga shtypshkronja ata mbanin radhë të gjata përpara dyqaneve të bylmetit. Por kjo radhë ishte ndryshe. Ishte një radhë për lirinë. Në fakt ata mbanin radhë për të blerë gazeta. Ose më mirë të themi për të blerë gazetën Rilindja Demokratike.

Pra egzistonte ende frika për tu afruar në redaksi?

Sigurisht. Regjimi ishte në grahmat e fundit dhe sigurimi famëkeq ende vepronte. Në ditët e para të daljes së RD, njerëzit kishin dëshirë, por edeh trembeshin ti afroheshin redaksisë. Ata ende ishin shumë të frikësuar. Por çudia më e madhe ishte se këta njerëz e blinin maksimalisht gazetën.

Çfarë kujtoni nga shitja e gazetave?

Ajo shitej thuajse e gjithë. Ne nuk gjenim gazeta që të shikonim as shkrimet tona. Pra nuk gjeje asnjë gazetë. Ishte një kënaqësi e madhe se se për herë të parë ne arritëm një tirazh në 800 mijë kopjesh. E kuptoni? E pabesueshme?! Tirazhi i gazetës ishte një kënaqësi pas një sakrificë shumë të madhe, por dikush duhej ta bënte dhe.unë them se isha me shans që isha një ndër ata .

A përbën një reksord ky tirazh?

As që diskutohet. Ndoshta një tirazh që krahasohet me gazetat më të fuqishme në botë. Ky tirazh nuk do të jetë më, as me të gjitha gazetat ditore të marra së bashku. Për mua ishte një rrezik por edhe një shans.

- Shansi juaj nuk ishte rastësi. Ishe fillimtarja e një gazete që po formulonte në kapërcyell të ndryshimeve demokratike, lirinë e mendimit dhe më pas të veprimit. Liria fillon tek fjala. Pra të ishte një liri e mendimit pastaj e fjalës. 

Kënaqësi është që të isha modeste, porn ë fakt kjo ndërmarje, nismë nuk ishte rastësitë. Unë kam qenë gjithmonë kundër atijë regjimi. Jam kundër çdo lloj diktature.Respektoj çdo njeri që lufton diktaturën.Dhe isha kundër diktaturës dhe doja të ndryshoja jetët tona dhe sidomos të fëmijëve tanë.. Sot jam e kënaqur edhe pse demokracia ka shumë probleme, por unë mendoj se është e mirë për të gjithë. Edhe për ato të bllokut është mirë sot. Edhe ata kanë lirinë e tyre dhe ndoshta jetojnë dhe lëvizin lirshëm kudo.

Thuhet se në atë periudhë ju kalonit edhe në vështirësi të jashtëzakonëshme. Po ti mendosh sot, askush nuk do të guonte ti bënte. Por edhe në atë kohë shumë pak ishin ata që guxuan.Aq më tepër ju që ishit një grua, një nënë . 

Nuk ishte e lehtë dhe nga gjithë kjo histori edhe vetë nuk e mendoj se si kam guxuar. E quaj privacionin më të madh që unë largova fëmijët tek prindërit e mi.Ata e vuanin shumë atë periudhë pasi fëmijët e tjerë u flisnin keq (fëmijët e demokratëve) I pështynin në rrugë, mësuesit i kërcënonin pasi thonin se janë fëmijët e demokratëve se ne ishim të dy bashkë me burrim demokratë. Kjo ishte pjesa më e dhimbëshme e imja. Nga ana tjetër neve na kërcënonin dhe na thonin se do t’ju vemë litarin. Do tju varim. Këto ndodhnin kur ecnim rrugëve të Tiranës. Dhe më e çuditëshmja këto fjalë na i thonin disa intelektualë apo njerëz që sot janë bërë demokratë..Ishte atmosfera që dikush duhet ta bënte.Kjo ishte e gjitha si një magji. Por dua të bëj një thirrje: Asnjëherë njerëzit nuk duhet të kërcënojnë fëmijët.

-Me gjithë këto vështirësi a mund të na kujtioni diçka pikantë ku ju e përkujtoni me shumë dhimbje? 

Kujtoj që isha duke kaluar në rrugë me Frrok Çupin pasi ishim miq dhe bashkpuntorë. Shumë njerëz zor ta kuptonin miqësinë, sepse ishin shumë fanatikë. Disa na thoshin se t’ju varim për gjuhe të dyve në mes të Tiranës Doni të na sillni borgjezinë, shfrytëzimin, degjenerimin.

Tjetër moment?

Ajo që kujtoj ishte dhe rënia e bustit. Ishte një moment i çuditshëm. U krijua një situatë e vështirë Na thanë se nuk do të dali gazeta nesër . Shpërndahuni dhe gjeni secili nga një strehë.Do të dilni në ilegalitet.. E kujtoj që atë moment Frok Cupi nuk lëvizi nga tavolina dhe tha se, nëqoftëse ne dorëzohemi sot, këtu mbaron lëvizja dejmokratike e jona. Kjo ditë ishte një stress i madh. Ndaj ne nuk duhet të dorëzohei theksoi Çupi. Gazeta nesër duhet të dalë patjetër. E rëndësishme është që të shpërndahemi dhe të bëjmë shkrimet më të forta.. Nq.s do të dali gazeta nesër atëherë ne shpëtuam dhe fituam. Ndryshe demokracia nuk do të trokasë kurrë ën Shqipëri. Do kthehemi prap në diktaturë. E kujtoj me shumë emocion këtë sepse në atë moment ikën disa nga redaksia. Por punuam me përkushtim. Gazeta me shumë vështirësi doli. Kjo ishte dëshira e madhe për liri.

-Prej kohësh natyra juaj e qetë dhe e shokut tuaj të jetës Agimit ku jeni rritur bashkë (dhe kjo basshkëndjesi dhe mendimet tuaja dhe lidhja me intelektualët më në zë të vendit), ka bërë që ju ju pa zhurmë të botoni dhe dy romane, dhe libra me poezi, tregime, studim dhe duke qenë vetëm për një kohë të shkurtër drejtore në Radio Tirana/ Gjatë kësaj kohe pak dimë për punën tuaj, sepse ju dini të punoni dhe të heshtni dhe të përhpni mesazhe punë vlerësimi.

Faleminderit. Unë mendoj se është detyrë e intelektualëve dhe shkrimtarëve , që në rastin tonë jemi të dy, të bëhet diçka e tillë. .Ne e ekmi për detyrë rtë ndriçojmë në çdo situatë të vërtetën. Ne mendojmë që e kemi bërë detyrën tonë. Me rastin e 20-vjetorit të RD mu dha edhe një çmim mirënjohje mbas 20 vjetëve. Kjo ishte shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë.

-Dhe nuk ka ndodhur dhe nuk besoj që të ndodhë që për një gazetëe të kërkohet me aq ethe dhe me aq dëshirë dhe të qarkullojë dhe të ngrihen njerëzit që ishin lodhur nga radhët e qumështit dhe të ngrihet edhe të ngrihen e të zënë radhë për të blerë një gazetë.Kjo do të jetë një rekord në historinë e zhvillmeve të gazetarisë së shkruar që të zësh radhë për të blerë gazetën.Është një fenomen që nuk ka ndodhur në asnjë vend lindor dhe aq më tepër në Shqipëri. 

Ishin ditë të vështira, Ditë ankthi. Ditë që ikje nga shtëpija dhe se dije nëse do të ktheheshe. Atëherë ishte shumë keq dhe rrininim edhe 12 orë pa ngrënë se nuk kishim ushqim. Dyqanet ishin bosh. Por megjithatë kjo ishte një kënaqësi, mundësi.

-Këto janë ngjarje që ruhen në arshivën e medias shqiptare. Unë di që edhe ju keni një arkivë? 

Kam ruajtur çdo numër gazete sepse e kisha me të vërtet me shumë pasion dhe emocion. Kudo ku ka punuar burri im dhe fotografitë që na vinin atëherë i kemi ruajtur. Këto janë pjesë e kënaqësisë sonë në punën e bukur por të vështirë të gazetarisë.

- Thuhet se athere mbanit një biçak të vogël në xhep. A e mbani në xhep ende? 

Kjo më duket shumë ironike sot por ishte e vërtetë dje. Kjo për vetë faktin sepse nga çasti në çast mund të na rrihnin sampistat.Ne e dinim që ishim në rrezik.Unë isha e vetmja femër gazetare e RD në atë kohë kur ende sistemi monist qëndronte në këmëbë dhe sinqerisht kam shkuar çdo ditë në punë me një biçak në xhep. Ecja duke u siguruar që a e kam bisturinë me vehte që në moment arrestimi unë do të prisja damarët. Pra të vetvritesha.

-Ju atëherë keni qenë pa shtëpi, dhe shpia dhe familja juaj bashkë me Gimin (sepse edhe ai vinte në gazetë) ishte redaksia e gazetës. Ku ishte ajo redaksia e parë? 

Redaksia e parë tani është prishur, më vjen shumë keq sepse duhej të mbahej si një lloj muzeu. Duhej mbajtur. Ka qenë mbrapa Arbërisë një shtëpi private që e kishin disa të deklasuar (si i thoshte regjimi monist)  dhe e lëshuan me shumë bujari. Ishin të arratisur. E kishin me shumë kënaqësi atë punë që ne punonim atje. U dukej se kontribuonin për lirinë. Ajo shtëpi e thjeshtë ka qenë mprapa Arbërisë duke ikur për nga treni. Njerëzit bënin sikur iknin nga treni nga frika dhe në një moment vinin dhe na shihnin sikur donin të na jepnin forë. Ata vetëm sa I afroheshin derës, pasi kushedi çmensonin. Por ne i mirkuptonim. Ata na jepnin forcë ishte një ilegalitet i plotë.

- Po topat e letrës dhe mjetet e punës ishin shumnë të vështira dhe primitive duke e krahasur me sot? Si mundët ti gjeni ato? 

Kjo shtëpia ishte me tre dhoma lart. Në njërën punonin dy vajzat Mirela dhe Genta sepse edhe ato rrezikoheshin në atë kohë dhe shtypnin. Ishin sekretaret tona. Dhe poshtë kishim një sallë të madhe ku grumbulloheshim, asnjë nuk ulej vetëm ne që shkruanim uleshim.,Nga ana tjetër në një bodrum mbanim disa topa letre të cilat me zi i siguronim, sepse ishte e vështirë dhe këto pak që kishim kur shkonim në shtypshkronjë shpesh na e sabotonin. Herë na e nxinin gazetën me faqe të zeza dhe na thonin se kishte shtypshkronja defekt. I ruanim se mos na i vidhnin dhe mos na i digjinin.Këshgtu ka qenë koha atëherë. Letrën na e siguronin a miq demokratë që e kuptonin rëndësinë e gazetës.

-Ka qenë ngjarja më e madhe kur ju më në fund si redaksi u bëtë me një makinë. Jua sollën dhuratë? 

Dikush nga diaspora na e solli një makinë, një Opel të vjetër.Edhe në atë makinë kush nuk ka hypur. Na gjuanin me plumba, me hekura, me gurë etj. Ajo ishte një makinë historike. Se di ku është. Edhe ajo duhej të kishte një vend të veçantë. Duhej të bëhej makinë muze.

-Çudia e çudirave ishin njerëzit, dhe ju që ishit fillimtarët e kësaj gazete? 

Unë i kujtoj me shumë nostalgji. I quaj këta njerëz njerëzit më me vlerë që guxuan.Ishim idealistë sepse pati edhe njerëz me intersa që dolën më vonë. Këta ishin më të mëvonshmit dhe jo ato të herëshmit.

–Liria është atributi më i fisëm që mund të ketë një individ. 

Unë mendoj se kush lufton për liri duhet respektuar.Kjo është një barrë e rëndë që duhet të dish që ta mbrosh dhe ta mbash. Shumica e gazetarëve janë të rinj dhe mendojnë se keshtu ka qenë, por unë mendoj se për liri njeriu duhet të luftojë çdo ditë dhe çdo moment

-Dëshmia më e madhe se liria buron drejtëpërdrejtë nga vyrtyti është pikërisht puna juaj.

- Në këtë ditë lindjeje të shtypit të parë të lirë postkomunist çfarë do të uroje? 

Edhe unë i uroj të gjithë, që të jenë gjithmonë të lirë. Nuk mendoj se lufta për liri mbaron në një ditë të vetme. Duhet në çdo çast ajo që fitohet  të mbahet. Dua ti them të gjithë gazetarëve se kur guxuam ne atëhere, të gjithë duhet të guxojmë. Nuk ka asgjë më të çmuar se liria.


22-02-2011, Telegraf, forumi Katolik.

Irealiteti real i "mjeshtrit të bukurisë."



Intervistë me piktorin Naxhi Bakalli
në 65 vjetorin e tij.



-Kam kohë që dëgjoj e jetoj legjenda per Naxhi Bakallin dhe kam fatin të gjej vehten të vogël shpesh,duke ndjekur vizatimet dhe pukturat e tij,që me ikin sa në mure piramidash të pazbulurara , sa në thellësi kështjellash të papara,sa në djepe fëmijësh drite,e në balle zanash .Pak herë e kam takuar atë vetë,por ka qenë mjaft për të kuptuar pse artistët e mëdhenj dhe të diturit fisnik thirren në emrin e tyre me një potencial të tillë ngjyrese,që është e papërsëritshme dhe unikale.Veprat e tij ,dëshmi e tejkohësisë së artit dhe selitjes së bukurisë në shpirt,per tre dhjetvjeçarë u penguan të ekspozohen në Shqipëri.Kjo është një therrmijëz kohe në kohjetën e veprave të Naxhi Bakallit. Ato gjetën udhën e njohjes dhe përftimit të vlerave falë frymimit nga njeriu i shenjuar për krijim .

Prej dhjetë vjetësh kryeqytetari shqiptar ,banon e krijon në Itali (Ascoli,Pizeno)prandaj dhjetra vepra që s`durojnë na vijnë si imazhe nga përtej detit ;disa janë puthisur mire në galerinë “Torna Buoni”të Firences, kanë gjetur miqësi si duket ,e qetohen sëbashku me veprat e Pikasos ,Mondrianit e të tjerë gjigantë të artit të figurës.
Që nga viti 1991, kur u çel e para ekspozitë vetjake e Bakallit, Galeria Kombëtare e Arteve , ende nuk po përmendet që t`i bëjë pritjen dinjitoze piktorit të veshur me privilegjin hyjnor për të qenë i gjithkohshëm,burrit të lindur për të mos rresht së kërkuari brenda shpirtit të vet thesarin e fshehur të bukurisë,begatonjësit të kopshtnajës së artit të racës shqiptare.
Në ditët e gushtit,përfshirë në ankthin e rimarrjes së vlerave reale të këtij kombi,thirrëm si duket me shumë dëshirë praninë e “magos” së bukurisëdhe mendimeve të fisme,sa u përmbysën strukturat e emisionit dhe ,zëri i njeriut, që pak ditë më parë kish shënuar 65 vjetët ,hyri përmes linjës telefonike , nga shtëpia e tij në Tiranë në studion e Radio Tiranës. Ardhja e Bakallit në vendlindje ende shënohet vetëm nga miqte,prandaj mendimet e tij ,gërmëzimet e fjalëve të tij i ndjeva për detyrë t`i shpërndaj në këtë përmbytje mediatike emrash politikanësh dhe jetëngrënësish të pangopur.
Kërkoj falje që nuk jam në gjendje që nga biseda spontane me piktorin nuk sjell dot sinfoninë e tërë , marrjefrymët e përshëndetjes së sinqertë.

Zoti Bakalli ,mirëseerdhët, ndjej që prania juaj po merr përshëndetje të pazëshme nga mjaft njerëz ,ndoshta edhe të panjohur për ju.Ngjan sikur ju me ardhjen tuaj doni të na bindni për fuqinë e dëshirës që mbin nga mungesa.

 N.Bakalli :- Sikur vërtet përshëndetja të mos humbte atë bukuri kuptimi që ka ,
do ta pranojsha me shumë kenaqësi këtë ,veçanërisht kur shqiptari përshëndet ‘’ Mirdita’’.

Më duket se asnjë nga kombet nuk e përshëndet njeriun n`atë mënyrë që përshëndesim ne.
Që t`ia urosh ditën e mirë kujtdo qoftë,duhet të kesh mirësinë e thjeshtë
dhe të thellë kuptimore brenda personit tënd.

Në këto “mirditat” që keni marrë këto pak ditë që jeni në Tiranë,a duket sikur është krijuar menjëherë lidhja e s`ka humbur gjë prej rrjedhe.

 N.Bakalli-Sigurisht , unë kam ndjesinë e tillë ,që vij këtu dhe,më duket sikur s`jam larguar asnjëherë.Kjo është kaq reale ,kaq e thjeshë dhe e pakushtëzume.Më ndodh pikërisht kështu: Unë sapo zbres këtu më duket sikur nuk kam qënë asnjëherë jashtë vendit tim.
Gjej njerëz që më presin me zemër dhe shtëpia më duket gjithmonë e mbushur.E pranoj që nganjëherë njeriu e zëvendëson në mënyrë imagjinare situatën e boshësisë,dhe ajo që dikujt i duket bosh dhe e shëmtuar ,tjetrit mund t`i duket shume e bukur dhe plot.


Dhe me sa kam kuptuar e dëgjuar “syri” juaj sheh vetëm bukur…..
Duke ndjekur intervistën tuaj dhënë para dhjetë vjetësh ,në atë realizim dinjitoz të TVSH-së kushtuar ekspozimit për të parën here të veprave tuaja,falë iniciativës së miqve që përherë nuk ju kanë munguar,ju thoni diku mes te tjerave se : Nëse artisti e ka ngjyer penelin e tij në gjinin e nanës ,kjo do të thotë që ai e ka të mbarë krijimin…si duket kjo ka ndodhur me ju. Eshtë e shquar që në fëmijëri,sipas miqve tuaj magjia që i bëni letrës,telajos,drurit,gurit,penelit,tingullit duke zotëruar esencën e gjërave që është energjia e frymës…çfarë paska pas ky gjini i nanës…


N.Bakalli:- Unë do të mundohem ta ripërsëris këtë gjë,të ripohoj brenda limitit të kohës së kushtëzuar ,nga pozitat e një koncepsioni edhe më bashkëkohor ,mendimin që peneli ngjyhet në atë mterial kuptimplotë të gjithvlershëm,ku është pika e lidhjes e një fenomenologjie jashtëzakonisht domethënese,siç është pafundësia.Nëqoftëse tek gjini vijnë të gjithë elemetët kimik , që janë përcaktues e të domosdoshëm për të zhvillu dhe mbajt jetën gjallë ,domethanë takohemi me nji pike,me nji solucion që bart elemetë të fillimeve pa fund dhe të vazhdimeve të pafund.



Sigurisht nuk kemi të bëjmë me një shkrirës të thjeshtë ,siç mund të konceptohet ndoshta në kuadrin e një mjedisi ,apo të një atrecature të një piktori , siç është paleta dhe vendi ku hedhim atë ,shkrirësin.Ka sigurisht një kuptim shumë më të gjerë dhe shumë më domethënës.
Flitet se arti po humb kuptimet e veta,ose nuk egziston. Antiarti, minimalarti.konceptualarti,apo këto deputimet e fundit në performanc-art,po traumatizojnë krijuesin.E këtë tip traume unë e kam gjet tek mjaft njerëz në mjedisin tonë të cilët më duket de referencë kanë shkollat ,qofshin të vjetra apo moderne që për mendimin tim janë gabimet e tejzgjatura që prodhon koha.Po qe se do ti referoheshim pikërisht asaj instance dhe në këtë mes është elementi shumëkuptimor qe ka gjini i nanës,si pike ku takohen dy ekstremet, ajo biologjike dhe shpirtnore,në një linjë,që ka nisë dhe vazhdon pafundësisht ; atëher unë do të thojsha që edhe kuptimet e artit,do të jenë dhe mbesin moderne,vetëm nëqoftëse kanë trajtë unikale.Kjo trajtë unikale sigurisht lidhet me atë që transmeton në rrugë gjenetike njeriu dhe është elementi “gji i nanës” që mund ta sintetizonte figurativisht këtë trajtë të pavdekshme. Mendoj që mrekullon me plotësimet e veta,kuptimet e vazhdimit te artit për t`iu kundërvu jo në trajtën politike,po në trajtën shumë reale gjenetike,atij korrenti që mendon ta quaj të ngecun ose të humbun udhën,kur vetë natyra konfirmon me elementë të tillë të cilët duhen deshifru ,marrë kuptim në vetë aktin krijues.
Eshtë ky element i vazhdimësisë që sintetizohet pikërisht në ate figuracion që shpjeguam.Eshtë pikërisht Arti ,Arti i të gjitha kohërave i cili e ka kërku këtë specifikë dhe ajo specifikë e ka ba Artin që të quhet, të jetë dhe të mbesi modern.


- Ju adhuroni,mrekulloheni e perkëdhelni gjithçka që është jetë.Më ngjan se jeni një idealist i pandreqshëm deri në pakuptimshmëri, një irealitet real në këtë botë ; si ia dilni kur gjindeni të prekur nga koncepte dhe veprime shkatërruese.

N.Bakalli:- Unë përshëndes edhe atë që mundohet të ndërtojë imazhin e mire ,e pranoj edhe atë që mundohet të jetë shkatërrues.Të tillë në opinionet shqiptare ka shume. Nji gja më duket i duhet shqiptarit të kuptojë edhe në sferën e artit,ajo , se vlen të konfirmohet vazhdimësia .Në këtë linjë pafund,duhet të ngrihen ndërtesa të reja dhe jo të shemben sepse duke shemb ne keqmësohemi të quajmë risi gjithshka që mohon. A mundet që në moshën 50 vjeç të mohohet mosha 40 vjeç, kur ato janë vite që i ke kalu dhe i ke konfirmu me jetën tende dhe ti vetë.Nëqoftëse ky fenomen përcillet në jetën sociale dhe veçanërisht në planin e krijimit dhe mbrujtjes e vazhdimësisë së vlerave,çfarë kuptimi do të kishte sikur ne ,për të ngrejt kuptime të reja të artit dhe dukuni të reja te shkatërrojshim gjithshka që ishte ba nga të tjerët.ata e ban atë që ban,ne të bajmë atë që mund të bajmë,sigurisht në kuptimet sa më të mira.Nënkuptohet këto përcaktohen nga shumë faktorë; siç mund të mund të emërtohesh piktor po mund të mos jesh,dhe duke ia lënë të hapur për më tutje kohës se kujt i takon ta ngrejë më nalt vlerën le ta ngrejë ,por pa egoizëm e dhunë për mohim.

Në zërin tuaj ndjej një ritëm dhe energji, gjë e cila nuk krijon aspak ngjyrë ndryshueshmërie nga zëri juaj në intervistën e dhënë 10 vjetë më parë. Më mbeti në kujtesë cilësimi i juaj se një vepër nuk e mbyll kurrë dialogun e vet .E keni fjalën për përhershmerinë e shpirtit kërkues,që ndryshon kahje por jo thelb.


N.Bakalli:- Një vepër nuk mund ta mbylli dialogun, këtë e them me bindje të plotë. Nëse krijohet dialog,do të thotë të krijohet vazhdimësi. Kur krijohet nje kontradiksion brenda kuptimit të një vepre arti,do të thotë të jepet shkaku i interpretimeve e i motivimeve për vazhdimësinë. Kjo do të thotë që mos ta quajmë artin gjë që mbaron në katedrën e një iks esteti,profesori,apo dikujt tjetër që shpall idera,por si një dialog pa fund e si fillim pambarim.


-Ju përmendin me adhurim për brishtësinë tuaj,dritën dhe tejdukshmërinë e kozmosit tuaj të brendshëm.Ndërkohë ju pranoni se jeni sjellë ashpër me veten.A bëhet fjalë për pendesë në këtë zgjedhje që bëtë,tani,kur ne ju kujtojmë se rapoti i juaj me tërë jetën në art është mijravjeçar,pra në një kuptim sot po ju urojmë 6500 vjetorin.


N.Bakalli.-Jam sjellë ashpër me veten,ndofta në kuptimin konfirmues të gjërave dhe,shumë here edhe e kam vetvehten në kërkim të ideales time.
Në planin social,shumkush thotë,po ai është pesoni që ty edhe të ka bha keq,ti përse nuk ia kthen…Nuk merrem me këtë objekt sepse do të shkatërrojmë njani tjetrin. Ai u nis për të më shkatërru fizikisht,fjala vjenUnë mbijetova shpirtërisht. Kjo është e rndësishme. Unë i lë rast refleksioni atij që të mund dhe ai të kryej veprën ;o të poshtër ose të mirfilltë. Ai që nuk merret me objektin social n` kuptimin e rëmdomtë të fjalës,duket sikur ka një objekt që është i fissshëm. Nëse koha na ka vendos në një pozicion të caktuar, të vazhdojmë sëbashku jetën ,të ushqejmë shpresën se,diçka më të mire se në një fushë tjetër mundemi me bë,por edhe këtë,nuk është e thanë ta absolutizojmë.Unë e mendoj kështu,dikush tjetër e sharton rrugës edhe me komponentët e tjerë,e mund të jetë një tip kompleks,mbase në fund të veprimtarisë së vet mund të jetë edhe kështu edhe ashtu…si të thuash edhe nji person i pare edhe i dytë apo i trete.
Unë punoj duke e vënë vehten time në prove vazhdimisht .Jam në pozitën që kam qenë gjithmonë ; “ti bie në qafë vetvetes”. E di që çdo shpirt njeriu ka diçka të paarritshme po të hulumtosh gjithmonë do të gjejsh çudina. Shpirti i njeriut është baraz me dimensiopnet e pafund,me limitet e pafund,me kërkimet e pafund.Unë mendoj ,që duke i dhënë këto atribute
,elementi vfazhdimësi ,që është future dhe në vetë krijesën tone, që është e vdekshme,është e asgjësueshme por jo e tjetersueshme.Ky element është tek vepra e vet,në mesazh,në problematik në domethënie kuptimore ,që ai transmeton nëpërmjet saj.


-A i jeni rikthyer veprave të para? I keni rimarrë në një kuptim tjetër,ose në një rrugëtim tjeter.



N.Bakalli:-Unë rrugëtoj gjithmonë në atë kurs kërkimor që kam patur edhe në veprat e dikurshme,që jep të sotshmet me shpresë që do të jape të nesërmet.Një fill sigurisht i bashkon,por nuk ndodh që të jem sot , siç isha dje,siç isha dje ,jam po Unë,i sotshëm dhe,Jam po Unë,i nesërm.Unë kështu e ndjej brenda vetes.
Kompozicioni improvizativ i kësaj bisede është veti e personave që dialogojnë pa kushte e raporte,është një mjet që duhet ta kenë bashkëbiseduesit,të cilët kanë,e krijojnë dhe gjejnë brenda vetes hapësirën për harmoni.

-Ju falenderoj, duke mbetur gjithmonë me dëshirën që të rrugëtojmë në një hapësirë që nuk i dihen përmasat,ku do të jenë ekspozuar të gjitha veprat tuaja .Mbetem me ankthin se kur do ta njohë bota shqiptare veprën e piktorit të madh të vet.

N.Bakalli-Në këtë mjedis,ku harresa nuk po mundet të përzihet,ju falenderoj që keni gjith`at mirësi të më kushtoni kohë dhe,të kujtoheni për ditën e lindjes time.
Mirënjohje për dashurinë,me dashuri pa fund për të gjithë.




Intervistoi: Valdete Antoni,
- nga shtypi i perditshem, vitet 2002-3

Vera Isaku, kërkuesja dhe zbuluesja e strehimoreve të fatit.

 

 

 

 

 

nga Valdete Antoni

Kam lexuar dhe jam ëndërritur në përthyerjen e zërit me vibracione femërore dhe krejt origjinale të shkrimtares dhe publicistes Vera Isaku, në dy romanet, tregimet dhe poezitë e saj. Kur mora në dorë këtë libër me tematikë të paracaktuar, Ruset në Shqipëri, kërkoja të bindja veten, për atë çka më besoi Vera drithshëm, kur ma dhuroi librin..,

pra po ndërtoja përgjesa të paskrupullta krahasimore të vlerave të tij dhe të romaneve “FATE TULLACE” (2000),


“QËLLIME TË MIRA” (2005),
 
“NË BIARITCH RRI FATI”,
vëllim me poezi (2002), atij me tregime “ASGJË PËRGJITHMONË”
dhe përmbledhja me artikuj publicistike “SHQIPTARËT NUK E NJOHIN GRINË”,

të cilët vezulluan pa bujë.

Tani dua të them se LIBRI I HAPUR, që siç shprehet autorja, mund të kishte edhe titullin alternativ “NË NDJEKJE TË FATEVE TË SHPARTALLUARA NJERËZORE”, vërtet rrëmbeu famën e pesë vëllezërve, por mëmësia i lexohet dukshëm– kërkuesja dhe zbuluesja e strehimoreve të fatit. Nuk kemi më fate tullace por fate cullak, në një libër unikal ku zëri i grave ruse, i burrave shqiptarë dhe fëmijëve shqiptaro - rus rikthehet në përthyerje nga pasqyra botkuptimore dhe botndjesore e një gruaje, që e jetoi edhe vetë dashurinë e saj mes egërsisë së shtetit dhe lukunisë së militantëve. Çfaqi personalietin e saj si femër, si intelektuale krijuese me temperament të spikatur jokonformist, gazetare pa skrupuj përulësie, por me një vetiakësi që ekulibronte pa zhurmë në simbiozën natyrore ISAKU edhe në kohët absurde, që janë të afta të pjellin rrethana absurde.
Faktet që vijnë pa retushim mbi marëdhëniet shqiptaro-sovjetikete, të shpërfaqura herë nga kronikanja, herë nga dëshmuesja besnike e të vërtetës, hulumtuesja pa përkatësi politike, nga prozatorja e energjisë, që përftohet si nga ajo e këmbës së pëllumbit mbi dëborë, nga poetja që krijon konstrukte befasuese me fill drite dashurie e fisnikërie, bëjnë të mbrish në përfundime, që nuk përputhen aspak me ndjeshmërinë e shumkujt dhe, që natyrshëm duhet të përbëjë një shtrat të ri gjykimi të asaj që ndodhi, të kuptosh dhe përjetosh dramat njerëzore të cilat do të merrnin përmasa shekspiriane. Kur ndodh që dy shtete të përplasen, shumë fate njerëzish të gjendur midis tyre përmbysen, por kur përplasja ndodh midis dy diktaturash, gjithcka bëhet katastrofike, pasi askush nuk i llogarit më njerëzit, të cilët nuk gëzojnë as liri dhe as të drejta minimale, konkludon autorja. Në vitet 1974-75 atëherë kur egërsia e diktaturës arriti një nga kulmet e veta periodike do ta kishin radhën edhe lidhjet familjare shqiptaro–ruse, arrestimet ndiqnin njëri-tjetrin. Kalvari, që u detyruan të përshkonin gratë ruse në Shqipëri, pas prishjes së marëdhënieve me BS, -pohon autorja- do të paraqitej shumë më i plotë, po të kishim patur mundësi të kontaktonim edhe me ruset e tjera, që vuajtën dhe u persekutuan, dhe sidomos me ato që u burgosen. E një pjesë jo e paktë vuajnë pasojat e terrorit tepër të gjatë, që kanë përjetuar dhe që reflekton tek ato një druajtje të kuptueshme njerëzore .

Në këtë libër janë portretet e trembëdhjetë grave ruse, që u martuan me shqiptarë. Sipas dokumentave, që ruhen në Arkivin e Shtetit, deri në vitin 1961 janë regjistruar 300 martesa zyrtare, ndërsa rastet e vajzave shqiptare të martuara me rusë numërohen me gishta. Në një nga letrat, që një grua ruse i dërgon autoriteteve shtetërore shqiptare, Vera Isaku shqisëmprehur gjen frazën: qysh kur u mortova, - dhe vërtet shkruan ajo, për shumkënd që është objekt i këtij libri martesat u kthyen në morte të vërteta …

Të gjitha gratë ruse të intervistuara pohojnë së pari se, nuk u larguan nga Shqipëria sepse i donin me gjithë shpirt burrat e tyre shqiptarë. Dashuria dhe besnikëria ndaj familjes nuk u vlejti dhe nuk i shpëtoi nga persekutimi shumëvjeëar në Shqipëri, as gratë ruse dhe as burrat shqiptarë dhe as familjet e tyre, që i mirëpriten.Shtyllat morale të shoqërisë shqiptare kishin marrë goditje të rëndë. Në këtë atmosferë morale të shkaktuar, pavarësisht nga vuajtjet absurde, këto gra këmbëngulin me sinqeritet se panvarësisht spiunëve të shumtë dhe hetuesve kriminelë, madje edhe gra, populli shqiptar i deshi, i mbrojti. Sejcila sjell ndërmend se si shqiptaret e dënuara shpesh punonin edhe për to në fushat e internimit, apo policë që bënin sikur harronin cigaret, kolegë që i këshillonin të ishin të kujdesshme, dhe në të gjitha rastet mëmat e djemve, pra burrave të tyre, që u kuptonin gjuhën e shpirtit.

Në këtë botim gjejmë portretizime , kroki zanore të zonjave ruse si :

Natalia Pengili, ose zonja e brishtë e hekurt, - Kam arritur në përfundimin se spiunllëkun nuk e bëjnë dot të gjithë njerëzit.., unë hyj tek ata që nuk e bëjnë;

Taisja Karagjozi – fali shumë mirënjohje , mori shumë dashuri…Vetëm një regjim si i E. Hoxhes nuk mundi të prekej prej cilësive të saj;

Vilgelmina Veshi- Vetëm në librat që lexoja kur isha e re kisha dëgjuar për spiunë dhe spiunazhe;

Nina Mula – Jam me fat. Avniu nuk më ka zhgënjyer asnjëherë në jetë E falenderoj.

Raisa Arapi – rrëfen i shoqi Hamdiu - Nuk kisha ndërmend të ndrroja gratë sa herë të ndrronte politika - Nënë Marija ta solla Raisen – bërtita kur u kthyem në Rusi, pak a shumë si Kostandini kur solli Doruntinën;

Irina Sallaku – dy vajzat binjake Vera dhe Lenja – Jemi në kërkim të eshtrave të babait të humbur;

Luiza Papajani- Jam nga Stalingradi, do të mbetem antifashiste; them se njeriu asnjëherë nuk i tradhëton dot idealet e fëmijërisë, kuptohet nëse vërtet i ka pasur ato;

Valentina Buci - ne nuk e dinim që periudhën e paraburgimit babai do ta kalonte në bodrumet e shtëpisë sonë të dikurshme;

Maja Luarasi – tregimi i një gruaje që e do Shqipërinë. -Skënderi ishte shumë më i madh se unë në moshë, por unë e çmoja, pasi e dija që një burrë si ai nuk hasej shpesh në jetë

Elena Cami – djali – Nuk kanë qejf as të flasin as të filmohen e as t’i kujtojnë ato kohë të vështira;

Valentina Myteveliu - i biri – Jam ndjerë i huaj kudo që kam qenë;

Margarita Sulejmani – Asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjen që më është dashur të bëj në jetë.. Ne ishim fajtore pa faj të mbetura midis dy zjarresh, vetëm se dashuruam burrat tanë dhe mbrojtëm familjet që krijuam me ta;

Aleksandra Caci- Them se ne e zgjodhëm vet fatin tonë dhe bëmë jetën tonë pa ndonjë heroizëm, kurse po të flasim për vuajtje, gratë shqiptare dhe populli shqiptar kanë vuajtur njëlloj si ne.

Caku i mbramë i dhimbjes është se, me humbjen e njerëzve, po varroseshin dhe ngjarjet. Terrinat e fshehura riciklojnë krimin, diktaturat dhe mekanizmat e tyre i kultivojnë veset njerëzore dhe i ngrejnë në tribuna ato. Zotërimi i njohjes çel shtigje drite dhe të drejton në aktin human të ndjesës, të cilën nuk e njohin sistemet diktatoriale. Ja pse na lind detyrimi që t’i kërkojmë falje atyre grave, neve që nuk kemi qenë asnjëherë sistemi…Ndjesa, falja është zëri i këmbanës mbi kubenë e pamatë të veprës së Vera Isakut.
Duke qenë në të njëjtën rrjedhë mendimi e gjej të udhës të përfundoj me fjalët që gjej në përcjellje të librit, shënuar nga ambasadori i Rusisë në Shqipëri:

Nuk është fare e rastit që kjo vepër quhet : LIBRI I HAPUR, se historia mund të fillojë, por nuk mund të mbarojë. Jetën e njeriut, në kundërshtim me barierat politike të vendosura artificialisht nuk mund ta ndajnë kufijtë. Ajo rrjedh si një lumë që e çan rrugën për një shtrat të ri. Atje te burimi le të jetë një prroskë e vogël, por kushedi sa e plotë mund të bëhet ajo në derdhje në të ardhmen….
.


nga
Valdete Antoni
botuar ne gazeten Shqip

Nr. 321, 20 nëntor, 2008, f. 28.

“Kohë që po han të vetët.”





Bisedë me gazetaren e Radio Tiranës Valdete Antoni.


1.Sa kohë keni që punoni në Radio Tirana?


Radio Tirana në fund të vitit që shkoi shënoi 65 vjetorin e saj.Unë kam nisur jetën e gazetares së Radios kur Ajo ishte rreth të dyzetave.Ka qenë ditë shkurti e vitit 1977.
Përjetova tre kohë të Radios në Stinët e mia të jetës:

Atë të një censure të kthyer në rregull, të hierarkisë politike, të profesionalizmit, seriozitetit të të heshturve dhe të një godine të mbajtur mirë.

Kohën pas 90-tës,kur ndjeva frymëmarrjen,fuqinë e Radios,ngritjen e vetvetes dhe të vlerave të kolegëve, më pas “bumin” me jo profesionistë dhe “vrapin” e të zgjedhurve përtej detit.

Po jetoj prej disa vjetësh Radio-braktisurën që shpesh më kujton tregimin “Minjtë” të Buxatit.
Jetoj çvlersimin intelektual dhe të pervojës,tejkalimin e barazitizmit socialist.

2)Në kohën kur niset,si ju shihnin kolegët ? A ju paragjykonin si gazetare?

-Nuk mendoj se ata paragjykonin, sepse aty unë gjeta disa zonja e zonjusha (po i quaj tani keshtu “shoqet”)gazetare dhe një mjedis jo pak femeror.

3)Po shoqëria paragjykonte? Nëse po,si mendoni pse ndodhte kjo?

-Nuk të paragjykonin si femër gazetare,se ne duhet ta pranojmë,punonim në të vetmin institucion të medias së folur dhe ky vlerësim të shoqëronte.
Ishte hija e Institucionit dhe jo e jona që i flakte paragjykimet.
Tani duket se “paragjykimet” i pollën vetë gazetaret me mungesën e seriozitetit me dëshirën e ethshme për të qënë të dukshme në këtë lloj “Sfilate”mediatike.


4) Çfarë roli ka patur gruaja në media dikur?Po tani?


-Thoni dikur;më ngjan se flisni për një kohë shumë të largët.Matësi i “rolit”për mua është tek fuqia krijuese dhe serioziteti,orientimi i shijeve të publikut,autoriteti i fituar me kulturë dhe butësi femre.Nuk jane “syzet” mbi kokë edhe në darkë që të rrisin rolin si gazetare.

5) Çfarë duhet ndryshuar në mentalitetin e njerëzve ?


''-Një poet dhe publicist niste thirrjen;
Mësojeni kohën ,të mos hajë të vetët..''
Më shqetëson mendësia “shoë-iste”që po pushton median dhe për pasojë jetën tone.Pa mëshirë vriten ëndërrimtarët dhe jo kriminelët.

6) Si e sheh veten nje grua gazetare, intelektuale ne “konkurrencën”e tregut që është krijuar?


-Të jesh gazetare ne Radio Tirana ka ndryshim nga të qënët gazetare në mediat apo gazetat private.Falë investimit professional në kohë,dëgjuesit më zgjojnë pasionin kur më fashitet,më detyrojnë të ruaj Fytyrën, por pafalësisht drejtuesit po thellojnë shtegun midis të thënit ,pra të predikuarit dhe të bërit,të qënurit.Po na mbytet nervi dhe “frigimi” për mbetjen pa të “famshmen pagë”.
Përpiqem për të mos pranuar shndërrimin në një nëpunëse pa personalitet.
Shpërfillja e përvojës, “symbyllja”ndaj pranisë është më shumë se mohim.Dhe,kur kjo kryhet nga dikush që ka ecur në udhë të rrëfyera dhe ushqyera për fat (ne lisin e gjakut dhe të qumështit)nga “iniciat”i dijes me shumë dishepuj,nga artiste me fuqi të rrallë kreative,nga dikush që njeh mirë median,të tjerë te një tjetër lloji edhe mund të justifikohen.
Fatmirësisht jam vetvetja ,dhe emrin tim si gazetare e kam shkruar me frymën time.
  



(Nga gazeta DITA e vitit 2003)