Monday, November 18, 2013

Poezitë pinë brymë dhe qajnë Atlantidën...nga Pendekaltri




Një Mirnjohje ndaj krijuesit të blogut të parë 
artistik dedikuar veprës dhe personalitetit
të autores :





VALDETE ANTONI, 
gazetare në Radio Tirana (1977-2013),
 autore e disa librave, 
është një nga poetet më të ndjera 
e ndër kohë më te heshtura 
e më të pabuja në poezinë e sotme. 




KOLEC TRABOINI

Nuk flasin shumë për të nëpër gazeta e revista, 
por nrkohë poezia e saj  flet aq shumë 
për këdo që ka ndjenjë e shije të hollë estetike. 
Poezia e saj është lirike,  intime,   plot ndjenjë,  mendim e figuracion.






/Hyj në kraharor zoti
/ si në një djep fyejsh
/dhe, luaj në fjetje
/me mijëra këmbanëza
/që gjej atje
/si të vërtetat më të paçuditshme
/të kësaj bote
/ Nga habia ngrij
/ Dhe, bëhem femër/.


Në poezitë e Valdete Antonit 

"poezitë pinë brymë
/ dhe qajnë
/ Atlantidën/"






Librat poetik të Valdete Antonit:




"ëndërr në mur" Prishtinë 1993,








"Muri im ka veshur këmishë"Tirane 1997,









"E pashë fluturimin tim"Tiranë 1999,









"Hyj në kraheror Zoti"Tiranë 2001.












"Tretur në polen drite''Tiranë 2005.










Kjo ese online
dhe shumë të tjera u realizuan fillimisht nga kolegu krijues dhe miku i familjes Antoni, kineasti i njohur  Kolec Traboini, në art nga Pendekaltri në vitin 2007;





Koment vlersues:


Spleen dhe parfum


Po,vërtet,ky cikël me poezi shkruar nga Valdete Andoni,sot,teksa ndodhem në punë (në një ditë gri e plot spleen),më hyri brenda shpirtit si një fllad i pastër e plot parfume pranverore.Më ndjeni për këto rreshta, ndofta naive, por e bukura nuk provokon veçse ndjenja të tilla - si edhe shumë sensibilitet e sentimenete delikate...



VASIL QESARI, Francë, 2007.
___________________






Tuesday, November 12, 2013

Impresion -Nga Faruk Myrtaj,Toronto




Mbase në  Tirane mungojnë shumë gjëra. Gjëra që s'janë. Që nuk janë dot. Që nuk janë krijuar apo që s'i bëjmë dot. As që ia vlen të ankohemi për to!
Më shumë na dhembin gjëra që i kemi e nuk i shfaqim. Gjëra që nuk shfaqen se ne e mbushim ajrin dhe skenën dhe faqet e para të gazetave me shtirje e
sforcime dhe grindje për para dhe pushtete të fuqise fizike.

Lexova këto vjersha, këto poezi, këto shpirtërima, dhe pyes: Salloni i Poezisë nuk di pse s'është në Tiranë?

Pse s'mblidhet, nuk e di. Valdete Antoni, na prek si përmendje dhe duhet ta riformuloj pyetjen:

Apo mblidhet dhe nuk e dimë ne, të gjinisë tjetër?! Kjo mosdije do të ishte e mrekullueshme.

Ne vazhdojmë të shtiremi: pëlqejmë këtë lloj poezie, dhe flasim e lëvdojmë e mburrim të tjera; vetëm e vetëm se ashtu kanë bërë ata që na mësuan kështu të bëjmë edhe ne! Pastaj, sigurisht që na ndodh si tek poezia e Valdetes:

"Nëntë muaj, asnjë ditë më pas
Zoti u fali atyre nga një vajzë
Me buzët dhe sytë e të vdekurës..."

Nuk di sa prej poetëve të antologjive zyrtare marrin përsipër të krijojnë dot këtë gjendje poetike krejt të natyrshme!
Salloni i Poezisë duhet krijuar. Në është, duhet nxjerrë prej ilegalitetit. Në se nuk ka vend për këtë sallon le të mos jetë më ish Salla e Lidhjes së Shkrimtarëve ku Naimi kishte kohë që vuante vetminë. Prej shumë kohësh ia hoqën nga antologjitë vargjet "Baltë e pluhur lë të bëhem/ të më shkeli këmba e Saj!"
Nuk besoj se e ka pasur thjesht për dashurinë, Naimi. Por pak rëndësi ka: unë e lexoj si dëshire për të respektuar poezinë e së bukurës.

Valdeti është saktësisht ajo që e vizaton Pendkaltri (Kolec Traboini). Unë e mbaj mend vetëm duke buzëqeshur, vetëm duke pranuar të tjerët në zgjedhjen e tyre, në shijen e tyre. Ka shkruar e ka përgatitur emisione për të tjerët, pa asnjë prapamendim për t'ja pasur borxh; i janë kthyer pa e ditur as ajo vetë: duke lexuar e pëlqyer poezitë e saj! Sa vite jane bërë kështu?
Sa vite u bënë që shumë prej nesh e dinë që poezia e Valdete Antonit është e tillë, e veçantë, e butë, njerëzore, ndjesore?  Pra, nuk ka asnjë rëndësi mosha e saj...

"Kape fillin tim të fanellës
mblidhe, ja kështu si unë
Oh të ra nga duart
Kape, kape prap
Ne mbledhim lëmsha
dhe rrimë pa fanella..."

Nuk di në ka zemër që nuk rreh ndryshe, duke lexuar këtë poezi. Valdeti gjëmon së brendshmi, së thelli. Ajo që shihet në breg-det, dhe bën sikur përplaset me brigjet, është vetëm dukja. Kaltërsia vjen prej thellësisë, mosha vjen prej lojës me jetën, në fund vjen vetëm filli i fillit. Edhe po s'deshe ti, çdo gjë nis nga e para. Poezia të ka ikur duarsh dhe lexuesi të mban mendsh e ndjenjash si të tillë...

"Perdja u shty
dhe rrezja pa shtresat
e fjetura vetëm
dhe gruan
që paloste natën..."

I rishkruaj këto vargje, kam dëshirë të rishkruaj edhe të tjera, thjesht se më duket se provoj ndjesinë e dhuratës që vjen edhe pa ta dërguar kush në adresën tënde.

Faleminderit Valdet!







Botuar nga
Gazeta Telegraf. - Nr. 676, 6 prill, 2008, f. 17.

Kur ninëzat e dritës varen te xhami - Ese nga Pirro Loli

                                                                                  

 
Botimi i ri- Antologjia Poetike-Toena.      



“Mendimet”                                         

Kuaj të zinj/
Turfullojnë/
Mbi blerimin e lëndinës/ 
një nga një  Kullosin/
Në vesën e syve/
Të pelës së bardhë/
Dhe mbyten…




Të futesh në shtëpinë poetike të Valdete Antonit, të duket se je futur në një galeri me mure të ndritshëm, ku punohen sende të ergjenta,  sende që të përshëndritin shpirtin e njeriu sikur merr një dritë dhe kungim të çuditshëm.



Brishtësi vargjesh, drithije të fildishta sikur janë larë me lëngun e hënës, sende të përkorët të mbeten nëpër duar, punuar në të hollë, nuk pranojnë të thuash diçka për ta, veç të habisin e të trokasin në shpirt. Si një rubin që duhet ta kthesh nga të gjitrha anët për t’i parë hiret. 

Por habia për  këtë poezi nuk shprehet me fjalë, e shumta me psherëtima. Pa kuptuar, të duhet të marrësh frymë thellë dhe instiktivisht ndjen se je ndeshur me diçka të rrallë që të mbush shpirtin me diçka që s’e thua dot, që s’e thua dot ndryshe, sepse e prish.

   U enda ca kohë me këto sende të çmueshme nëpër duar dhe si lexues i poezisë, po përpiqem të përcjell disa nga “pshetëtimat” e mia. (Se poezia e Valit nuk spjegohet , ajo vetëm ndjehet). Dëshiroj të jenë fjalët e kësaj ndjeshmërie një amballazh transparent, kështu, lidhur në një fjongo për ta varur vitrinave, ku shitet e shkelet gjaku i shprishur i poetëve.

Nëse dikush do të përpilonte një antologji poetike, unë do t’i lutesha që poezitë e Valdetes t’i shkruante me gërma të mëdha e pa ndrojë do t’u thoshja poeteve më të mira të Evropës, pa shikoni si këndon një poete shqiptare… edhe Cvetajevës, edhe Ahmatovës dhe Shimborskës…

Në fakt unë nuk dua ta ndaj poezinë  në autorë meshkuj e femra, por Valdeti si femër , më ndihmon ta shikoj gruan me të gjithë bukurinë universale që nuk ka vetëm përparësinë e lindjes si toka Demetër, por veçanërisht bukurinë shpirtërore, ose krijimin si atribuj hyjnish dhe njëkohësisht si dramë.



* * *

 Poetja, në ndryshim me të tjerët, i lidh stinët e vitit me fjalën, domethënë me krijimtarinë. Ajo është poete në të gjitha stinët. Sepse ka një specifikë. Në verën e largët ishte fëmijë dhe foli si grua (Fëmijtë janë krijues të sinqertë, ata i ndërtojnë yjet dhe i montojnë ku të duanë;  në vjeshtën e afërt ishte grua dhe foli si fëmijë.. 

Kush tha se nuk i kapi të tërë yjet dhe ndërtoi me ta çatitë e këngëve ?..

Tani në dimër harron se është plakur.., por mosha e pjekurisë poetike, fërfëllon në përskuqjen e qiellit. Si lindje. 

A thua se bën jetë dielli në të gjitha stinët ?

Po , them unë, e besoj plotësisht se shpirti i poetit është prej drite. Dhe kështu jeta e poetes bëhet kuptim në të gjitha stinët, për të mbetur përjetësisht në stinën e mosplakjes ose të poezisë që nuk njeh moshë.

Valdetja fluturon kujtimesh qiellore, por di të zbrezë me dinjitet dhe në tokë. Dhe këtu(në tokë) i thotë të tëra troç dhe moshën, dhe urtësinë dhe muzgun, natyrisht me shënjat e veta poetike. Ajo është e pranishme në të gjitha  baret me emrin “dashnia”
Shiheni !

Ninëzat e dritës jan var te xhami..; ndoshta si lotë kujtese të një kohe dashurish..” me duart e natës ajo i lëviz ninëzat e dritës duke i ndarë një nga një si tespie. Kjo poete qëndismëtare, punon me fije të hollë filigramesh, gati gati trasparente si mbi një stof drit-hijesh që duhet ta rrotullosh pranë syrit që t’i dallosh kufijtë.
Ndjenja që provokon poezia e asj shpesh të përcëllon trishtueshëm. Të trishtojn bukuria. Të trishtojnë mungesat.
Poeti ka dhe ditë shkurti ku shpesh dielli i poezisë ndërron rrugë në qiellin e shtëpisë së saj, ku tundet djepi pafoshnjë brenda- papoezinë- e , natyrisht pas kësaj poezia pi brymë dhe qan Atlantidën. (vini re elipsin) Qan atë ishullin e lashtë që befasisht është fundosur. Vetëm një folje dhe një emër të bëjnë të shikosh kaq larg. Kjo poezi nuk është mungestare. Këtu nuk jemi në shkurt, përkundrazi. I vërteti është verdikti i kundërt. –poezia-

   Stina e pjekurisë poetike di dhe të heshtë. Veçanërisht kur koha është e pistë. Por heshtja te Vali është krejt e veçantë. Ajo ka dy pemë, njerën për të bërë hije, tjetrën për të mbjellë lule. Dhe këto soj lulesh çelin vetëm në vetmi. Sapo t’u gjesh kodin poezive të Valdetes, gjithçkaja para të bëhen prej xhami e fildishi, prej ajri e prej drite. Mbi të gjitha ato qëndisin një humanizëm gjithpërfshirës. ( Edhe për plagën e qenit, poetja nxitin të shikojë fytyrën e atij që do t’ia shërojë plagët.)
                                      
* * *

“Bukuria”

Rrezja e syrit mësoi të flasë

/fjala krijoi rrezet në trup/

burri mori pasqyrën/ua drejtoi rrezeve/

/dhe u tha/

Gruaja…

Te kjo poete, më duket se është themelore një dukuri – konçiziteti- Kemi të bëjmë me një poezi si një unazë e hollë që nuk mban dot më tepër se një sumbull të rubintë., që përmban brendësive çudira të befasishme… 

Lumi i saj poetik kalon nëpër filtra të hollë e aty më tej shiko si merr formë pluhuri i florinjë që ndoshta ka udhëtuar shumë kilometra për t’u bërë kështu pluhur e për të formuar atë esencën, lëndoren, gurin e xhevahirit apo formën e një koraleje enigmatike. 

Virgjëria për poeten është lakuriqësia e gruas në shtratin e një hoteli që pyet ç’është në çarçaf një njollë e kuqe, gjak i dashurisë së virgjër, apo kryevepra e atij burri. Vetëm kaq.

Me fjalë tepër të kursyera pikatoresh, V.Antoni, shpesh krijon imazhe poetike surrealiste, kaq të befta, sa të bën t’u rikthehesh për të depërtuar në realitete absurde- që atje tej, në fund kanë emrin  bukuri … Rrezja e syrit, thotë ajo, mësoi të flasë.. Fjala u fokusua rrezesh në një trup… e, kur lexuesi vret mendjen disi i hutuar për kuptime, befasisht futet burri, burri që mori pasqyrat, ua drejtoi rrezeve dhe tha: ja gruaja. 

Bukuria nuk lind me gruan ,thotë Vali, por krijohet nga ai, nga ai që di t’i shohë pasqyrat, burri. Është fjala për një bukuri që ka nevojë të shpallet, të vëzhgohet.Si poezia. (Dhe poezia nuk ka kuptim t’i kërkosh kuptimin , por ta ndjesh.) Si vlerat e poezisë sonë që dhe kështu të pakta derdhen në heshtje si gjaku i Krishtit.

Ka një ngjeshje maksimale imazhesh konçize, një gdhendje të drurit deri te bebja e syrit, sikur pikturon thelbin brenda thelbit. Të mos harrojmë se kjo dukuri përbën thelbin e artit modern, atë estetikën minimaliste që mbështetet mbi përqëndrimin maksimal të mjeteve shprehëse. 

Duket se radari vëzhgues i poetes, rrethplotë, regjistron të gjithë avionet e huaj në qiell, (poetët), turli markash modernë, por Valdeti, pasi i sheh,i shuan fantazmat e huaja për të gjetur atë çka është moderne vetëm brenda vetvetes, pelerinëne vet, pikërisht formën, sepse format e huaja, të eksperimentuara dhe njëqint vjet më parë, shpesh janë zogj të vdekur që tashmë e kanë harruar fluturimin. 

Problem i rëndësishëm ky, për poezinë e sotme shqipe, që është përmbushur deri në mani për të eksperimentuar e imituar me çdo kusht për të qenë moderne..


Poeti është një organizëm “që digjet” dhe kjo poetja jonë, sikur ka Shën Agustinin te veshi që i pëshpërit. Dhe kjo i tregon shenjtit dëshirën e saj prej kanguri… , është mbushur barku i saj me këngë e ngjarje që i pëlqen t’i shpallë, tinguj drite që duam t’i shohim të dy, fëmijët, por kur vij, këlyshët janë rritur e shumëfishuar, “ aq sa kanë ngrënë kangurin”, jo vetëm vetmohim gjenetik ky, për poetin tingëllon si rilindje e çdo gjëje të bukur e të dashur e të shtrenjtë- poezitë si fëmijtë- që kur arrijnë te vlerat e vërteta, kanë të drejtë ta hanë të zotin. Si drita që çliron qiriri para se të vdesë.


 V.Antoni lëvron shpirtin e vet të begatë. Vargu i saj ka një tension të brendshëm që tregon se gjetjen a figurën bazë, e ka mbajtur gjatë brenda vetes, deri te ai momenti ( që nuk ka emër) i shpërthimit, pa sforco siç del psherëtima bashkë me frymëmarrjen. E poezisë i duhen këto psherëtima, i duhen për të thyer xhamet e zinj të dritares. 


Me një thjeshtësi të çuditshme, ajo hidhet në sferat abstrakte të shprehjes, kështu ndijimet fillestare, qëmtuar nga përvojat intime, vinë e bëhen pronë ndiesore për lexuesin. Duke i kthyer sendet në shenja, ajo u jep një status të ri- përcjellës të mesazheve- duke mos e këputur fillin me realitetin. Kështu kjo poezi përfton një  zotësi të mistershme, duke qenë njëkohësisht edhe e prekshme e reale., edhe kjo tipar i poezisë moderne që është quajtur, “prania e një mungese”.. Poezitë më të mira të kësaj poeteje kanë një “mosthënie” largpamëse.


Është një poezi kjo, që shpall dhe fsheh vlerën e tejme dhe diçka të fton të shkosh në atë pikë, ku ndeshet njeriu, njeriu që ëndërron dhe para tij shfaqet metafora e lëndës, a e tokës mbi të cilën mbijnë aq shumë  lule e gjëmba.  Kjo lente poetike më tepër shërben , jo për zmadhim a zvogëlim vlerash, por piksëpari për seleksionim, për të gjetur saktësisht sendin nga i cili pret të lindin vizionet e dëshërueshme. Valdeti ndërthur mjeshtërisht mendimin dhe ndjenjën, përvojën personale me universalen e për këtë kërkon dhe një lexues të kujdesshëm…

Fryma që niset nga dy gjokse, në dy krahët.. e takohen me frikë si dy gjuhë në dy kafaza..dhe fjalën e harruar e shkrijnë..”
 
Cilën fjalë? 

Dashuri, urrejtje, frikë, ndroje, grindje.

S’ka rëndësi. Ajo beson në të bukurën, beson në lirinë e shpirtit, beson në erosin plot virtute, por pothuajse gjithmonë të plagosur.

Poetja i mban në dorën e vet shigjetat e erosit, por ajo nuk qëllon për të plagosur e gjetur partnerin, jo, ajo rrotullohet me të në zemrën e vet, gjithmonë e gatshme të ballafaqohet me sfidat e thikta të botës mashkullore  sepse, shpesh ajo është bota e fajit dhe kështu, dhe fjala si vaj, nuk i zbut dot ingranazhet e çiftit kurris më kurris…dhe prandaj vjen drama, poezia e së pamundurës.    



                                    

* * *


“Pasurim”

Gjithë këtë flori/

Që dielli e derdh mbi pellg/

Ma pikëlon në fytyrë/

Një trumcak duke u larë… 

Poezia për dashurinë është e vështirë dhe e pamundur të mos përsëritet nga një poet në tjetrin.

Por ja, vjen V.A me ca këngëzime si “Vesë tingulli” e çdo lexuesi të vemendshëm i mbetet në mendje si një poezi krejt e veçantë. Ajo ka hyrë në kraharorin e Zotit si në një djep fyejsh dhe luan atje, e dremitur…Mijra kambanëza i kumbojnë por, atje,në shpirt ajo gjen  ca të vërteta të çuditshme të kësaj bote.

Me një sensualitet enigmatik, ajo gjen veten në atë harkim burrëror- si një vesë tingulli e nga habia ngrin /dhe bëhet femër. (duke folur në vetën e parë ajo flet për të gjitha femrat që mbështesin kryet në gjoksin e burrit) dhe bëhen femra, d.m.th. , jo vetëm nëna e motra e gruaja,por dhe  seks, pushtet, lule, mjellmë, dramë ,dhimbje….d.m.th., poezi.  

Vë re se poezitë e V.A për dashurinë, i shmangin aromat e lulet e pathosin romantik. Më i bukur ndër to është trishtimi, drama, jo  entusiazmi. Zaten, poezia e madhe kurrë nuk ka qenë optimiste dhe e gëzuar. Në pamjen e parë duket sikur këtë poezinë dramatike të dashurisë dhe lexuesi don ta mbajë larg vetes, por nuk mundet.

Mungesat këtu janë si mbajtje fryme, por, ama, dy dekika më pas, të pëlqen ta përjetosh gjëndjen përsëri.  

Dashuria shpesh është e verbër dhe sytë t’i lidh me fasha drite e të rrotullon, të rrotullon për ta parë botën ndryshe, mbushur shkëndëjime të një bote të qelibartë. 

E kur ajo zgjat qafën “të të pijë dhe pikën e pikës së madhe … ja pret fytin gëzimit tim të vogël..” e unë pres të m’i zgjidhin sytë, pres të mësoj si mbaron iluzioni, bota e qelibartë, rruzujt e sadeftë e befas shfaqet trupi si trung , që prek si qukapik vetveten e mbetur- një tingull quk-quk. Të qukapikut në trung… 

Ka dhe ca kuaj të zinj  dashuria e VA, që turfullojnë mendimeve si në blerinat e lëndinës. Të çuditshëm këta. Që kullosin gjithandej.
Dhe vjen e papritura, metafora si ortek i bardhë: këta kuaj kullosin në vesën e syve të pelës së bardhë..dhe mbyten. 

Poet , mos fol më se e prish !

Shpesh Valdetja krijon imazhe kaq abstrakte e lëndore sa lexuesit i duket se sheh një film surrealist  me metrazh të shkurtër që të tërheq për ta riparë shfaqjen ... Ja tek është në kishë. Shën Maria shikon vetëm atë, (poeten femër). Me gjoksin e puthur nga besimtarët..Mbylli sytë t’i mbulonte ato fshirje të prekjes…por…( vini re !), Aty rrinte ai duke e parë të zhveshur…


Si poete fiksioni ajo di ku i ngrë shkallët e abstraksionit.  
Shpesh fantazia e çon në vitet e rinisë e sheh nëpër to ca drita të çuditshme e tepër orgjinalë… “U plakën çarçafët e pajës në arkën e nonababës sime..u holluan e sikur flenë me molën… por vjen merimanga e kuqe, ashtu çalë çalë e pret një fustan”, atë të tejmin, ndoshta, të vajzërisë që nëpër ëndrra netësh, qepet e shqepet e përfundon në një fustan nusërie…S’ka rëndësi në je gjyshe , nënë a grua çfardo, këtu na mbetet po-e-tja, nusja e përhershme si dita e vellos së bardhë. Është një pyll i dëshëruar për pranvera jeta e saj, për bisqe të rinj, fole zogu buzëçelur e ëndërrime.


Po ç’ka ky pyll, kjo jetë degëprerë ç’ka ?!... Dhe pret pritja krahë aromabardhë, e pranishme pritja si zog që i fshik gjoksin, dhe ikën, ikën… Pyll me degë të ylberta. Që priten. Që thahen. Por gjithsesi jo shpresa. Është shpresa që kon zogjtë, zogjtë e dashuruar sqep më sqep, syth më syth e gojë më gojë. E shpresa s’vjen e zogjtë ikin- e pritja pemishte e pamollë…

Por poetja ëndërrit, ëndërrit derisa pritja vishet e gjethon si pemishte krah e gjoks me lule zogu.. Ah, kjo lule zogu ! Krah e qiell në kërkim.


Nga Pirro Loli

Poeti si zog. Përtej pritjes, deri atje ku poeti kërkon të gjejë ëngjëllin e vet, deri atje sa njësohet me të. E pret , e s’ka e pret e s’ka.. e bëhet vetë ëngjëll, e kërkon krahë e shpirt e qiej të tjerë. Duke imituar kështu hyjninë. Ose të pamundurën.

 






Botuar: Gazeta Metropol. 
Nr. 1913, 21 nëntor, 2009, f. 20.