Tuesday, November 12, 2013

Impresion -Nga Faruk Myrtaj,Toronto




Mbase në  Tirane mungojnë shumë gjëra. Gjëra që s'janë. Që nuk janë dot. Që nuk janë krijuar apo që s'i bëjmë dot. As që ia vlen të ankohemi për to!
Më shumë na dhembin gjëra që i kemi e nuk i shfaqim. Gjëra që nuk shfaqen se ne e mbushim ajrin dhe skenën dhe faqet e para të gazetave me shtirje e
sforcime dhe grindje për para dhe pushtete të fuqise fizike.

Lexova këto vjersha, këto poezi, këto shpirtërima, dhe pyes: Salloni i Poezisë nuk di pse s'është në Tiranë?

Pse s'mblidhet, nuk e di. Valdete Antoni, na prek si përmendje dhe duhet ta riformuloj pyetjen:

Apo mblidhet dhe nuk e dimë ne, të gjinisë tjetër?! Kjo mosdije do të ishte e mrekullueshme.

Ne vazhdojmë të shtiremi: pëlqejmë këtë lloj poezie, dhe flasim e lëvdojmë e mburrim të tjera; vetëm e vetëm se ashtu kanë bërë ata që na mësuan kështu të bëjmë edhe ne! Pastaj, sigurisht që na ndodh si tek poezia e Valdetes:

"Nëntë muaj, asnjë ditë më pas
Zoti u fali atyre nga një vajzë
Me buzët dhe sytë e të vdekurës..."

Nuk di sa prej poetëve të antologjive zyrtare marrin përsipër të krijojnë dot këtë gjendje poetike krejt të natyrshme!
Salloni i Poezisë duhet krijuar. Në është, duhet nxjerrë prej ilegalitetit. Në se nuk ka vend për këtë sallon le të mos jetë më ish Salla e Lidhjes së Shkrimtarëve ku Naimi kishte kohë që vuante vetminë. Prej shumë kohësh ia hoqën nga antologjitë vargjet "Baltë e pluhur lë të bëhem/ të më shkeli këmba e Saj!"
Nuk besoj se e ka pasur thjesht për dashurinë, Naimi. Por pak rëndësi ka: unë e lexoj si dëshire për të respektuar poezinë e së bukurës.

Valdeti është saktësisht ajo që e vizaton Pendkaltri (Kolec Traboini). Unë e mbaj mend vetëm duke buzëqeshur, vetëm duke pranuar të tjerët në zgjedhjen e tyre, në shijen e tyre. Ka shkruar e ka përgatitur emisione për të tjerët, pa asnjë prapamendim për t'ja pasur borxh; i janë kthyer pa e ditur as ajo vetë: duke lexuar e pëlqyer poezitë e saj! Sa vite jane bërë kështu?
Sa vite u bënë që shumë prej nesh e dinë që poezia e Valdete Antonit është e tillë, e veçantë, e butë, njerëzore, ndjesore?  Pra, nuk ka asnjë rëndësi mosha e saj...

"Kape fillin tim të fanellës
mblidhe, ja kështu si unë
Oh të ra nga duart
Kape, kape prap
Ne mbledhim lëmsha
dhe rrimë pa fanella..."

Nuk di në ka zemër që nuk rreh ndryshe, duke lexuar këtë poezi. Valdeti gjëmon së brendshmi, së thelli. Ajo që shihet në breg-det, dhe bën sikur përplaset me brigjet, është vetëm dukja. Kaltërsia vjen prej thellësisë, mosha vjen prej lojës me jetën, në fund vjen vetëm filli i fillit. Edhe po s'deshe ti, çdo gjë nis nga e para. Poezia të ka ikur duarsh dhe lexuesi të mban mendsh e ndjenjash si të tillë...

"Perdja u shty
dhe rrezja pa shtresat
e fjetura vetëm
dhe gruan
që paloste natën..."

I rishkruaj këto vargje, kam dëshirë të rishkruaj edhe të tjera, thjesht se më duket se provoj ndjesinë e dhuratës që vjen edhe pa ta dërguar kush në adresën tënde.

Faleminderit Valdet!







Botuar nga
Gazeta Telegraf. - Nr. 676, 6 prill, 2008, f. 17.

No comments:

Post a Comment