Saturday, August 24, 2013

"SHPIRTRA QË NDEHEN NË PIRAMIDË DRITE "

 

nga Valdete Antoni 

 

Në këto shënime mbi veprat e ekspozuara të dy artistëve të figurës; skulptorit Fatos Kola dhe piktorit Shaqir Veseli , emërtimin Qendra Ndërkombtare e Kulturës , e cila çeli galerine edhe për këta autorë , në vijim të qëllimit të saj përkrahës ndaj artit , jam e detyruar ta shndërroj në Piramida. 
 Kjo më shumë jo për arsyen që ajo thirret kështu nga qytetarët në të folurit bisedor , por për arsye te pranësimit të kuptimit të parë simbolik të Piramidës dhe shtysën meditative që më shoqëron ende pasi u preka me veprat e ekspozuara. Më ndjek “dhimbja mumje” e portretit te kudoshpallur të Veselit dhe levizja gjithë nur e dashurisë së Kolës në relacion yjësor.




Në javën e dytë të muajit të parë të 2003-shit tek Piramida, veprat e dy artisteve të figures miq që në fillimet e shkollimit artistik , gjetën hapësirën e munguar për vite , për një shpërfaqje më të plotë të individualitetit të tyre krijues. 

Skulptori Fatos Kola, sot pedagog në Akademinë e Arteve ,pas dhjetëra veprave në bronz, allçi apo mermer, më shumë “të vrara” se të gjalla ,hyri në Piramidë me projeksionin e simbolikës Amësia , përmes artit tredimensional duke e transmetuar këtë lidhje me një riformulim unikal në mermer të bardhë. Spiralja e jetës nga nëna tek fëmija, ku nëna formëson guackën e epërme te një veze që të transmeton misionin mbrojtës, është dhënë në imazhin e rilindjes së vetvetes.Sistemi zotërues në gjithë zhvillimin e ngjarjes plastike është forma e lakuar si dhe kërkesa për një ekulibër perfekt të dritës dhe hijes. 

Udhëtim në pafundësi, nën vorbullën e lëvizjes spirale të jetës. Ky lejtmotiv i lashtë është formësuar në një frymëzim për një imazh përjetsorë . E gjithë ngjarja e lëvizjeve dritë-hije me kantilenë të butë, në rrjedha të formave të lakuara zhvillohet brenda saj ,e kapërthejnë brendesinë dhe jashtësinë e veprës . Ato të emetohen butësisht në shpirt në mërmërimë qiellore.

Gjen përkime të çuditshme me rrugëtimet e ndritshme mëmësore dhe gjen vetveten si mëmë e si fëmijë . Të josh ta kesh parasysh të shumëdimensionuar dhe pse jo si vepër monumentale në sheshin para Piramidës, si emblemë e kujtesës për fillimfillimin e dashurisë dhe lindjes së jetës .

Aty ka hyrë vepra tjetër sugjestive “Ylli i Qytetërimit Shqiptar” Skënderbeu, e realizuar në metal , alterrnuar ne fletë dhe fije bakri. Ndërtesa të krijon imazhin e një ylli të shprishur në skajet fundore ,ku e epërmja dhe dy horizontalet në akselerimin e tyre janë në prerje të artë. Zotëron simetria dhe krijimi i një forme të pastër gjeometrike ,koni i zgavërt që pritet nga një plan në formë trekëndëshi i inklinuar me bazë lart dhe majë poshtë. 

 Ky gjest i kryer, krijon një kontrapunt mjaft ekspresiv dhe mënyra sesi kapërthehen tek njëra tjetra të krijon përfytyrimin se gjithshka është thënë me një frymë . E gjithë kjo ndërtesë zbulon aftësinë e njohjes dhe zotërimin e vetive plastike të materies , që përdor skulptori si dhe fuqinë krijuese të tij duke shfaqur një ekspresion të kulluar e që është kontrrolluar rreptë, gjë që i jep veprës një energji e vitalitet imponues .

Përdorimi i formave të thjeshta strukturore duke u pasuruar me një dekorativitet të fijeve metalike , me të cilat skulptori reket të krijojë detaje të portretit që veshin zgavrën e epërme të yllit . 

Kjo bashkjetesë i jep një karakter veprës jashtë imazheve të para deri më sot , duke na e shndruar heroin në një legjende yll rrezatues si të zbritur prej qiejsh të dritshëm aspirate e lavdie të rracës shqiptare .I gjithë ky imazh i ndërtuar çuditshëm me forma të thjeshtuara drastikisht ,Kjo formë e të ashtuquajturës skulpture minimaliste i jep veprës një sinfoni forme të pakohë në sens estetik. 

Në këtë formulim estetik ,vepra të sjell në reminishencë lavdinë e arteve epokale që realizuan modernitet të përjetshëm .

Mbart me vete shëmbëlltyrën e një ylli që unë e kërkoj ta shoh në çdo mjedis të shqiptarëve , të gjithmonë të dimensioneve të mëdha , në materie të ndritshme ,dhe vëndi e vëndeve do të ishte kalaja në sfond malin e Krujës. Aty i goditur prej dritës diellore do të na krijonte sugjestionin e një meteori që të verbon në takimin me të.

Krejtësisht në ngjitje tjetër shfaqet skulptori Kola në dhjetë veprat :” Dashuri në qiell “ ku bashkësimi i tre materieve; druri, qelqi, fije metali, ka krijuar një entitet të përbashkët estetik , ku tejdukshmëria dhe kantilena e brishtë të emetohen në shpirt gjithë nur përkëdhelës e nxitës dëshire ,për ti patur e mbrojtur nga prekja.Krijimi i situatës së një projeksioni ajror të fenomenit dashuri është një gjëndje unikale e përjetimit pamor të skulptorit Kola.
Ai na thotë: Vetëm kthjelltësia dhe pambarimësia janë ideali i saj. Dallëndyshet, pemët, kuajt, kupa,
janë shndërrime të njerëzorëve të dashuruar. Në esencë të kësaj gjëndjeje të plazmuar shquajmë krijimin figural, ku është çmontuar ligji fizik i gravitetit ,siç është pesha, por po ta ndjekim ndërtesën figurale të projektuar në dydimensional ajo të krijon iluzionin e tridimensionalit. Aty cekin vetëm siluetat e jashtme të formës së figurave ,duke lënë që brenda trupave të hyjë drita dhe ajri.

Ritmi dhe harmonia kanë një ekuilibër dhe shfaqje në ritin dy që formëson një. Nuk ka dy të dashuruar por ka Dashuri, gjë që të kujton vargun Lazgushian: “Se s’dashuronim as unë as ti ,por dashuronte dashuria “Zotërimi i fijes, urdhërimi i saj për të shprehur , rafinimi gjithë elegancë i linjave që formësojnë figuracionin , është fuqia e autorit; ku kthjelltësia dhe pasuria e motivimeve është tregues i njohjes së thellë profesionale. E tillë magji deri në dematerialitet të materies, të bën të kuptosh dhe të ndiesh se ke takuar artistin e frymës metafizike dhe qartësisë së figuracionit të urdhëruar nga lart. Materialet dhe idetë janë mohuar dhe thyer në shpirt, lexojmë krijimin e mirëfilltë të figurës artistike që janë të pashoqe për nga frymëzimi . Si pushtuese të padukshme këto dhjetë vepra pas prekjes me to të ngjan se i sheh të gjalluara në udhet dhe ëndrat ku shkon .
Drita duke luajtur me transparencën magjike të veprave më krijoi imazhin se ato do ti prekja , por dicka tjetër, magjia e artistit , mi largonte duarsh , si realitete të paprekshme. Ndoshta ato do ti gjej në parqet e gjelbërt ku Parajsa do të bëhet e besueshme.

Kështu skulptori Fatos Kola na çon në një botë tej botës; ai me lëndën projekton përjetësinë; përtej jetën ,duke na e shfaqur qartë botëkuptimin dhe botëpërjetimin e tij.

Vazhdimësia që rrjedh në ekspozitë të sjell në gjëndje tjetër, një botë tjetër të pasur në ngjyra dhe dritëhije, figuracione pa mbarim ,që motivojnë frymëzime ndaj tre fenomeneve dominante sipas meje këto janë kuadratet piktorike të Veselit ku : familja, fëmijët dhe gruaja, rrugëtimi nga vetja në gjithësi dhe nga gjithësia për tek vetja dhe motivi i legjendës simbol të shqiptarëve, flamuri ,janë të papritura të reja që gjejmë në Piramidë.

Tabllotë që i përkasin motivit të familjes shquhen nga një dritë e idealizuar me ngjyra të kthjellëta, pra ngjyrë në dritë. Gjetja e portreteve të njohur të çon edhe në situate irreale sikur ato i takon në përralla.

Duket se luajnë me erën, me diellin me sendet. Janë të gjithë zotër në kuadrat dhe përtej tij. Autori shfaq një lidhje mjaft interesante me ta, ku autoriteti atëror është fshehur në buzëqeshjen e fëmijës dhe fluturimin e flokëve të tyre. Në vështrimin e gruas kuptojmë vlerësimin e saj; ajo rri ulur si mbi rrugë ere, e qetë, sa e brishtë dhe vitale. Vështrimi i autorit flet , pas shtatit të saj të brishtë, ku janë derdhur penelata nën një rit perkëdhelës të fshehur.

Kulti i familjes dhe projeksioni ideal i raportit të autorit me të, ka krijuar vepra me frymëzim unikal e të kulmuara në të gjitha dimensionet e estetikës ; por sapo përcillesh nga këto vepra në ekspozitë përballesh menjëherë me krijime të një kahjeje tjetër të shprehjes emocionale. Këto janë veprat me simbol flamurin kombëtar . Katër tabllo që formojnë një cikël ,nëpër të cilin udhëkalon Lindja, Jeta dhe Mbijetesa e tij. Unë do ti shenjësoja kështu këto katër tablo: Flamuri ideal. Flamuri me një krah shqiponje duke u përpëlitur në mungesë të trupit e të krahut tjetër. Flamuri trup brimuar e gjoks shqyer dhe i svetënuar , e i dalë boje prej rrebeshesh, i ngrënë e i humbur në ngjyrë, e i dalë në rrasht i bardhë e fisnik. Vërtet një udhëtim kuptim e ndjesiplotë emocional .

Mendoj se reminishencat në mjet me ndonjë autor tjetër janë vetëm në kontekstin teknik dhe teknologjik , që siç e dime nuk kanë asnjëherë fuqi të vetme për të ndërtuar një vepër të mirëfilltë arti.Mjeti i bartur brenda veprës së Veselit ,si mënyrë e përdorur prej mijëra vjetësh në plan estetik është i natyrshëm.Duke ditur se esenca e një vepre arti është shprehja dhe jo teknika e mjeti i përdorur. Çdo gjykim ndryshe është tautologji akademike dhe gjykim steril jashtë esence. Unë vetë jam e tronditur prej të vërtetës emocionale që të shkakton kontakti me to . Më merr jetë një skenë e gjalluar sipas rrëfimit të vetë autorit ,kur në shtëpinë e tij në Krujë, babai i tij ngrinte në mëngjes fëmijët që të përshëndesnin ditën , nën solemnitetin e hymnit të flamurit që transmetonte Radio Tirana në nisje të programeve të saj .Sot ai është vetëm i larguar në vite ,. me të njëjtin nderim drithërues, qëndron ndaj simbolit të flamurit ,por tashmë i përgjegjsuar si artist pyet veten: cfarë ka ndodhur me ty flamur ?
Duke qënë se esenca e veprave të Veselit nuk është krijuar për të shoqëruar shije dhe qëllime vulgare,
Ato nuk miqsohen dot as me perde e kolltuqe rehatish njerëzore , janë projektuara për një jetë tjetër raport njerëzor për të të mbajtur në këmbë e drithëruar . Janë lindur për të bërë jetën të vetme .
Bindshëm themi se janë nga veprat më qytetare të të vërtetave të jetës që po kalojmë si rracë e si komb. Ndihet figurshëm klithja e artistit: ç’po bëjmë e ku po shkojmë?

Veseli ky udhëtar jo i zakontë, dylufton për mbijetesën me armët më të paqta njerëzore, ai ta ngul mu në zemër brushën e tij, megjithëse ajo mbahet poshtë dhe kullon. Vetëzgjedhja e artistit në këtë botë,
trishtimi i tij tragjikomikisht përpëlitet në një botë që s’është e tija. Ai të transmeton pikëllimin por të ngas lëvizjen. Rruga me qiparisa, shtylla gri, janë të vetmet personazhe që frymojnë, që lozin e tallen me artistin, herë në mesudhë, herë hipur udhe, herë me dëshirën për të qenë i padukshëm, i arratisur nga ky realitet,herë i lidhur e herë i gozhduar, gjithmonë pranë qiparisave dhe hijes së tyre.

Piktori duket se ndjek vetveten, kap pjesë të vetes, i mbledh dhe i fluturon, zhgjëndrra tragjike lëviz por nuk të dërrmon, përkundrazi e gjen veten në buzëqeshje ,siduket edhe në mirëkuptim me “buzëqeshjen e arsyes” së autorit.

Zotëruese në hapësirën piktorike të tij , është pasuria e paletës ,e cila nuk është krijuar prej një parapëqimi . E shndërruar në një musht që gjallon çuditshëm skena të thjeshta që parapëlqen autori në kompozicion, ngjyra , kjo më e pabindura dhe më tekanjosja në trillet e saj, që ka mundur në mijëra vjet shpirtra krijonjësish dhe përftonjësish adhuruesish të Saj, tek Veseli urdhërohet e nënshtrohet skllavërisht shprehëse . 

Në Piramidë , koha lëviz në harkun e një Qëndre Ndërkombtare të Kulturës , falë dëshirës dhe kuptimësisë për misionin ndaj artit , të një gruaje shkrimtare dhe publiciste të njohur për fjalëdhenien e bardhe , gjë kjo e rallë në drejtues të sotëm ; aty morrën rrugën e publikimit për këtë mijvjeçar të ri , dhe ,bekimin nga shikuesit e njohur dhe të panjohur , veprat e dy artistëve shqiptar endës të fateve dhe të bukurive të shpirtit të tyre : skulptori Fatos Kola dhe piktori Shaqir Veseli.

Valdete Antoni

marre nga Gazeta Tema Shkurt 2003

No comments:

Post a Comment