Saturday, August 24, 2013

Vera Isaku, kërkuesja dhe zbuluesja e strehimoreve të fatit.

 

 

 

 

 

nga Valdete Antoni

Kam lexuar dhe jam ëndërritur në përthyerjen e zërit me vibracione femërore dhe krejt origjinale të shkrimtares dhe publicistes Vera Isaku, në dy romanet, tregimet dhe poezitë e saj. Kur mora në dorë këtë libër me tematikë të paracaktuar, Ruset në Shqipëri, kërkoja të bindja veten, për atë çka më besoi Vera drithshëm, kur ma dhuroi librin..,

pra po ndërtoja përgjesa të paskrupullta krahasimore të vlerave të tij dhe të romaneve “FATE TULLACE” (2000),


“QËLLIME TË MIRA” (2005),
 
“NË BIARITCH RRI FATI”,
vëllim me poezi (2002), atij me tregime “ASGJË PËRGJITHMONË”
dhe përmbledhja me artikuj publicistike “SHQIPTARËT NUK E NJOHIN GRINË”,

të cilët vezulluan pa bujë.

Tani dua të them se LIBRI I HAPUR, që siç shprehet autorja, mund të kishte edhe titullin alternativ “NË NDJEKJE TË FATEVE TË SHPARTALLUARA NJERËZORE”, vërtet rrëmbeu famën e pesë vëllezërve, por mëmësia i lexohet dukshëm– kërkuesja dhe zbuluesja e strehimoreve të fatit. Nuk kemi më fate tullace por fate cullak, në një libër unikal ku zëri i grave ruse, i burrave shqiptarë dhe fëmijëve shqiptaro - rus rikthehet në përthyerje nga pasqyra botkuptimore dhe botndjesore e një gruaje, që e jetoi edhe vetë dashurinë e saj mes egërsisë së shtetit dhe lukunisë së militantëve. Çfaqi personalietin e saj si femër, si intelektuale krijuese me temperament të spikatur jokonformist, gazetare pa skrupuj përulësie, por me një vetiakësi që ekulibronte pa zhurmë në simbiozën natyrore ISAKU edhe në kohët absurde, që janë të afta të pjellin rrethana absurde.
Faktet që vijnë pa retushim mbi marëdhëniet shqiptaro-sovjetikete, të shpërfaqura herë nga kronikanja, herë nga dëshmuesja besnike e të vërtetës, hulumtuesja pa përkatësi politike, nga prozatorja e energjisë, që përftohet si nga ajo e këmbës së pëllumbit mbi dëborë, nga poetja që krijon konstrukte befasuese me fill drite dashurie e fisnikërie, bëjnë të mbrish në përfundime, që nuk përputhen aspak me ndjeshmërinë e shumkujt dhe, që natyrshëm duhet të përbëjë një shtrat të ri gjykimi të asaj që ndodhi, të kuptosh dhe përjetosh dramat njerëzore të cilat do të merrnin përmasa shekspiriane. Kur ndodh që dy shtete të përplasen, shumë fate njerëzish të gjendur midis tyre përmbysen, por kur përplasja ndodh midis dy diktaturash, gjithcka bëhet katastrofike, pasi askush nuk i llogarit më njerëzit, të cilët nuk gëzojnë as liri dhe as të drejta minimale, konkludon autorja. Në vitet 1974-75 atëherë kur egërsia e diktaturës arriti një nga kulmet e veta periodike do ta kishin radhën edhe lidhjet familjare shqiptaro–ruse, arrestimet ndiqnin njëri-tjetrin. Kalvari, që u detyruan të përshkonin gratë ruse në Shqipëri, pas prishjes së marëdhënieve me BS, -pohon autorja- do të paraqitej shumë më i plotë, po të kishim patur mundësi të kontaktonim edhe me ruset e tjera, që vuajtën dhe u persekutuan, dhe sidomos me ato që u burgosen. E një pjesë jo e paktë vuajnë pasojat e terrorit tepër të gjatë, që kanë përjetuar dhe që reflekton tek ato një druajtje të kuptueshme njerëzore .

Në këtë libër janë portretet e trembëdhjetë grave ruse, që u martuan me shqiptarë. Sipas dokumentave, që ruhen në Arkivin e Shtetit, deri në vitin 1961 janë regjistruar 300 martesa zyrtare, ndërsa rastet e vajzave shqiptare të martuara me rusë numërohen me gishta. Në një nga letrat, që një grua ruse i dërgon autoriteteve shtetërore shqiptare, Vera Isaku shqisëmprehur gjen frazën: qysh kur u mortova, - dhe vërtet shkruan ajo, për shumkënd që është objekt i këtij libri martesat u kthyen në morte të vërteta …

Të gjitha gratë ruse të intervistuara pohojnë së pari se, nuk u larguan nga Shqipëria sepse i donin me gjithë shpirt burrat e tyre shqiptarë. Dashuria dhe besnikëria ndaj familjes nuk u vlejti dhe nuk i shpëtoi nga persekutimi shumëvjeëar në Shqipëri, as gratë ruse dhe as burrat shqiptarë dhe as familjet e tyre, që i mirëpriten.Shtyllat morale të shoqërisë shqiptare kishin marrë goditje të rëndë. Në këtë atmosferë morale të shkaktuar, pavarësisht nga vuajtjet absurde, këto gra këmbëngulin me sinqeritet se panvarësisht spiunëve të shumtë dhe hetuesve kriminelë, madje edhe gra, populli shqiptar i deshi, i mbrojti. Sejcila sjell ndërmend se si shqiptaret e dënuara shpesh punonin edhe për to në fushat e internimit, apo policë që bënin sikur harronin cigaret, kolegë që i këshillonin të ishin të kujdesshme, dhe në të gjitha rastet mëmat e djemve, pra burrave të tyre, që u kuptonin gjuhën e shpirtit.

Në këtë botim gjejmë portretizime , kroki zanore të zonjave ruse si :

Natalia Pengili, ose zonja e brishtë e hekurt, - Kam arritur në përfundimin se spiunllëkun nuk e bëjnë dot të gjithë njerëzit.., unë hyj tek ata që nuk e bëjnë;

Taisja Karagjozi – fali shumë mirënjohje , mori shumë dashuri…Vetëm një regjim si i E. Hoxhes nuk mundi të prekej prej cilësive të saj;

Vilgelmina Veshi- Vetëm në librat që lexoja kur isha e re kisha dëgjuar për spiunë dhe spiunazhe;

Nina Mula – Jam me fat. Avniu nuk më ka zhgënjyer asnjëherë në jetë E falenderoj.

Raisa Arapi – rrëfen i shoqi Hamdiu - Nuk kisha ndërmend të ndrroja gratë sa herë të ndrronte politika - Nënë Marija ta solla Raisen – bërtita kur u kthyem në Rusi, pak a shumë si Kostandini kur solli Doruntinën;

Irina Sallaku – dy vajzat binjake Vera dhe Lenja – Jemi në kërkim të eshtrave të babait të humbur;

Luiza Papajani- Jam nga Stalingradi, do të mbetem antifashiste; them se njeriu asnjëherë nuk i tradhëton dot idealet e fëmijërisë, kuptohet nëse vërtet i ka pasur ato;

Valentina Buci - ne nuk e dinim që periudhën e paraburgimit babai do ta kalonte në bodrumet e shtëpisë sonë të dikurshme;

Maja Luarasi – tregimi i një gruaje që e do Shqipërinë. -Skënderi ishte shumë më i madh se unë në moshë, por unë e çmoja, pasi e dija që një burrë si ai nuk hasej shpesh në jetë

Elena Cami – djali – Nuk kanë qejf as të flasin as të filmohen e as t’i kujtojnë ato kohë të vështira;

Valentina Myteveliu - i biri – Jam ndjerë i huaj kudo që kam qenë;

Margarita Sulejmani – Asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjen që më është dashur të bëj në jetë.. Ne ishim fajtore pa faj të mbetura midis dy zjarresh, vetëm se dashuruam burrat tanë dhe mbrojtëm familjet që krijuam me ta;

Aleksandra Caci- Them se ne e zgjodhëm vet fatin tonë dhe bëmë jetën tonë pa ndonjë heroizëm, kurse po të flasim për vuajtje, gratë shqiptare dhe populli shqiptar kanë vuajtur njëlloj si ne.

Caku i mbramë i dhimbjes është se, me humbjen e njerëzve, po varroseshin dhe ngjarjet. Terrinat e fshehura riciklojnë krimin, diktaturat dhe mekanizmat e tyre i kultivojnë veset njerëzore dhe i ngrejnë në tribuna ato. Zotërimi i njohjes çel shtigje drite dhe të drejton në aktin human të ndjesës, të cilën nuk e njohin sistemet diktatoriale. Ja pse na lind detyrimi që t’i kërkojmë falje atyre grave, neve që nuk kemi qenë asnjëherë sistemi…Ndjesa, falja është zëri i këmbanës mbi kubenë e pamatë të veprës së Vera Isakut.
Duke qenë në të njëjtën rrjedhë mendimi e gjej të udhës të përfundoj me fjalët që gjej në përcjellje të librit, shënuar nga ambasadori i Rusisë në Shqipëri:

Nuk është fare e rastit që kjo vepër quhet : LIBRI I HAPUR, se historia mund të fillojë, por nuk mund të mbarojë. Jetën e njeriut, në kundërshtim me barierat politike të vendosura artificialisht nuk mund ta ndajnë kufijtë. Ajo rrjedh si një lumë që e çan rrugën për një shtrat të ri. Atje te burimi le të jetë një prroskë e vogël, por kushedi sa e plotë mund të bëhet ajo në derdhje në të ardhmen….
.


nga
Valdete Antoni
botuar ne gazeten Shqip

Nr. 321, 20 nëntor, 2008, f. 28.

No comments:

Post a Comment